Masa sigurie për 8 efektivë, Balla: Po largojmë elementët e dëmshëm nga Policia
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se përmes procesit të vetëpastrimit po largohen dita-ditës nga Policia, elementët e dëmshëm dhe të inkriminuar.
Reagimi i Ballës erdhi pas ekzekutimit të masave të sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ndaj 8 punonjësve të policisë dhe 1 shtetasi, të dyshuar për “Korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre”.
Balla ka nxitur Agjencinë e Mbikqyrjes Policore të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për të garantuar standarte të larta integriteti e pastërtinë e figurës së efektivëve të policisë.
“Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi”, deklaron Balla.