Masakra me 4 viktima në Dobraç, RENEA aksion në Shkodër me urdhër të SPAK

Policia e Shtetit ka nisur një aksion “blic” në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Shkodrës me urdhër të prokurorisë speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK.
Bëhet me dije se prej orës 05:00 nisën kontrollet në vazhdën e hetimeve për masakrën me 4 viktima të regjistruar pasditen e 30 tetorit 2024 në afërsi të Dobraçit. Mësohet se forcat RENEA kanë zbarkuar në banesën e Safet Bajrit për ta marrë në pyetje.
Kujtojmë se masakra e Dobraçit po hetohet nga SPAK-u për shkak se Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencë, pasi dyshohet se është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Të dyshuarit për masakrën e Dobraçit janë dy të rinj, Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të cilët janë ndaluar pas vetëdorëzimit në Polici muajin e kaluar, pasi ishin shpallur në kërkim për dhunimin me sende të forta të Vladimir Bruçit. Ata u morën në pyetje dhe në lidhje me masakrën e Dobraçit.
Dy të dyshuarit e kanë mohuar përfshirjen e tyre në masakrën e Dobraçit, madje kanë treguar dhe se ku ndodheshin në momentin kur ka ndodhur atentati.
Në atentatin e 30 tetorit humbën jetën vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici, Arlind Bushati, si dhe dy viktimat aksidentale çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët u përplasën nga makina e viktimave teksa udhëtonin me motor. Në automjetin e viktimave dyshohej se ishte i pranishëm edhe Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim prej vitesh, por deri më tani kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.