Masakra në Shkodër, Berisha: Qyteti i pushtuar nga atentatet, policia i fsheh
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme ku mbetën të vrarë tre persona, mes tyre edhe një grua e pafajshme.
Në një konferencë online për mediat, Berisha ka folur nga banesa e tij duke theksuar se “asnjëri nga ata që humbën jetën, nuk rezulton të ketë pasur gjer sot asnjë problem me drejtësinë, në veçanti çifti Basha që u gjet rastësisht në vendin e pritës, tek kthehej nga puna në fermën e tyre të vogël, me të cilën mbanin fëmijët”
Sipas Berishës, masakra e djeshme në Shkodër është vijim i sërë aktesh terroriste siç e quajti ai dhe atentatesh, që fshihen nga policia.
“Masakra është vazhdim i një serie aktesh terroriste, atentatesh të ndodhura muajt e fundit në Shkodër, të fshehura nga policia e Shkodrës, apo të injoruara totalisht në gjetjen dhe arrestimin e atentatorëve.
Masakra e djeshme e bandës qeveritare në Shkodër, pra vjen pas asaj të korrikut në të cilën u plagosën 3 të rinj, dy prej të cilëve u shtruan në spital, por u fsheh si ngjarje.
Vjen pas asaj të shtatorit që Shkodra e di mirë se kush është atentatori, por policia nuk mori mundimin qoftë ti bëje dhe një pyetje të vetme”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kjo masakër vjen pasi i ndjeri, Arlind Bushati, tre javë më parë u përball “me atentatorë të cilëve nuk u shkrehu revolveri që i drejtuan dhe me të drejtë, si çdo qytetar tjetër i riu Arlind Bushati iu drejtua policisë, por meqenëse i ati ishte opozitar, i kampit armik të Edi Ramës dhe bandës së tij në Shkodër, nuk u mor asnjë masë për të identifikuar atentatorët”.