Masat e BE për Kosovën, Bislimi thotë se raporti i Borrell do të rekomandojë heqjen e tyre
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi thotë se raporti i kryediplomatit europian Zhosep Borrell për hapat që ka bërë vendi në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së do të rekomandojë heqjen e tyre.
“Në bazë të informacioneve që neve na kanë ardhur raporti i zotit Borrell, i cili është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian është përpiluar që nga muaji prill, mirëpo ka pasur hezitime që i njëjti të dërgohet në komision për shkak se si duket ka ende disa individë brenda komisionit të cilët kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat i kësaj ta dëmtojnë Kosovën. Përmbajtja e raportit me sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave” tha zoti Bislimi.
Gjatë raportimit në Komisionin e Integrimit, Bislimi tha se ky raport pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme, ndërsa Kryetarja e komisionit Rrezarta Krasniqi tha se ka informacione se masat do të vijojnë për Kosovën. Pas Komisionit zëvendëskryeministri tha se pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën janë pengesë që vendi të marrë statusin e kandidat në Bashkimin Europian.
“Mosnjohësit nuk po lejojnë ende që të ndërtohet konsensusi brenda këshillit, i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian, në mënyrë që të vlerësohen kapacitetet e Kosovës për të filluar procesin e integrimit, apo për të marrin statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda komisionit që ky konsensus nuk po arrihet edhe më tej” tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi deklaroi se ka zëra brenda Komisionit Evropian që nëse Kosova do të garonte në kushte të njëjta me vendet e tjera të rajonit, do të ishte vendi i parë që do të merrte statusin e anëtarit të plotë të BE-së.