Masat e sigurisë për ndeshjen Shqipëri- Çeki, policia sekuestron kapsolla, tymuese, flakadanë
Ndeshja Shqipëri- Çeki qartazi po shoqërohet me masa të forta sigurie nga ana e policisë shqiptare, që nisin nga stadiumi ‚Air Albania‘, deri në pikat kufitare.
Në kuadër të masave të forta të sigurisë dhe shtimit të kontrolleve kufitare, Policia e Pikës Kufitare të Morinës ka sekuestruar lëndë piroteknike dhe mjete prerëse, me qëllim përdorimin e tyre gjatë ndeshjes Shqipëri – Çeki.
Policia bën të ditur se ka sekuestruar 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), si dhe ka shoqëruar 12 shtetas që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete, ku kishin fshehur lëndë piroteknike.
“Në kuadër të intensifikimit të punës në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme që mund të përdoren gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Çeki, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.“, informon policia.
Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme.
“12 shtetasit u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve.“, përfundon njoftimi policisë.