Masat parandaluese për përmbytjet/ Bashkia e Shkodrës ndërhyn në kanalet kulluese, kishin 25 vite pa u pastruar
Bashkia e Shkodrës ka nisur punën për pastrimin e kanaleve kulluese me qëllim parandalimin e përmbytjeve në zonën e Gurit të Zi dhe Dajçit.Aktualisht është duke u punuar në fshatin Mushan të njësisë administrative të Dajçit ndër zonat më të prekura nga përmbytjet përgjatë viteve në bashkinë e Shkodrës. Përgjegjësi i sektorit të shërbimeve bujqësore Muhamet Muça thotë se në këtë zonë nuk ishte ndërhyrë prej gati 25 vitesh, dhe se ishte e domosdoshme për të ndihmuar fermerët në të mbjellat e stinës si dhe i paraprin situatave të reshjeve dhe shmang rrezikun e përmbytjeve. Sipas përgjegjësit të shërbimeve bujqësore pranë bashkisë Shkodër Muhamet Muca për të parandaluar fenomenin e përmbytjeve nevojitet më shumë përgjegjësi për të menaxhuar shkarkimet e hidrocentraleve. Në të njëjtën linjë janë edhe fermerët e fshatit Mushan të cilët kërkojnë që të mirëmenaxhohet kaskada në mënyrë që gjatë dimrit të shmanget fenomeni thuajse i përvitshëm i përmbytjeve. Pastrimi i këtyre kanaleve do të parandalojë përmbytjet e tokave bujqësore dhe zonave përreth banesave të fermerëve, si dhe do të ndikojë direkt në prodhimtarinë e tokës.