Masat për sezonin turistik, Koçiu: 34 qendra shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se në kuadër të turizmit në të gjithë vendin do të hapen 34 qendra shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil.

“Duke filluar nga data 1 qershor, për të përballuar fluksin e shtuar të turisteve, do të hapim 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë”, nënvizoi ajo.

Koçiu tha se në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.

 “Sa i përket këtyre qendrave sezonale, gjithashtu kemi marrë një tjetër masë të rëndësishme, duke zgjatur kohën e ofrimit të shërbimit me një muaj, nga 1 qershori në 30 shtator”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë duke bërë me dije se ka nisur puna edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.

Gjithashtu, ministrja Koçiu bëri me dije se një tjetër masë kyçe është fuqizimi i kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

“Edhe këtë vit, e pajisur me mjekë, infermierë dhe të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, Urgjenca do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Për herë të parë do të shërbejnë në këtë sezon motoambulancat, që janë në gjendje të shmangun trafikun dhe të shkurtojnë drastikisht kohën e marrjes së ndihmës së parë në raste urgjencash”, deklaroi ajo.

Koçiu shtoi se i gjithë sistemi ynë shëndetësor, me qendrat spitalore, spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe 400 qendra shëndetësore të rinovuara tërësisht i përgjigjet realitetit të një turizmi të zhvilluar në të gjithë territorin dhe gjatë të gjithë vitit.

Më tej, ministrja u ndal edhe në procesin e dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, që ka nisur tashmë nga zona e Liqenit të Shkodrës dhe do të mbuloje 25% më shumë territor këtë vit.

Gjithashtu, vijoi ministrja, nëpërmjet Inspektoriatit Shëndetësor kemi marrë masa për të garantuar inspektimin periodik higjeno-sanitar të plazheve, pishinave apo akuaparqeve, për të siguruar standardet më të larta të pastërtisë dhe cilësisë.

Në përfundim të fjalës së saj, Koçiu tha se “në strategjinë tonë për zhvillimin e mëtejshëm të shëndetësisë, një vend të rëndësishëm zë edhe turizmi mjekësor, i cili është një ndër format e turizmit me rritjen më të shpejtë në vend. Falë edhe procesit të Autonomisë Spitalore, ne e shohim turizmin mjekësor si një shans për të gjeneruar më shumë të ardhura për sistemin tonë publik”.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.