Mashtrimi me mikrokreditë, Manja: Nuk kemi heshtur, kallëzuam në prokurori 12 përmbarues dhe dy shoqëri mikrokredie
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka deklaruar në Kuvend se Shërbimi Përmbarimor Publik ka një ligj modern, ndërsa për Shërbimin Përmbarimor Privat do të paraqiten ndryshime në ligj.
Gjatë debateve në seancën maratonë të parlamentit ku u diskutua edhe për raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë, Manja u shpreh se “në këtë seancë u anatemua shumë edhe roli i Shërbimit Përmbarimor privat. Ministrinë e Drejtësisë me Bankën e Shqipërisë e lidh veprimtaria e Shërbimit Përmbarimor Privat dhe ajo e kredimarrjes që jepet nga bankat ose institucionet financiare jobankare. Shërbimi Përmbarimor është i rregulluar me ligj të vitit 2008, pastaj në vitin 2019 miratuam ligj të ri për Shërbimin Përmbarimor Privat, që është një shërbim i vetërregulluar”.
Manja deklaroi se në Shërbimin Përmbarimor Privat ka 129 licenca aktive, ndërsa u kërkoi deputetëve që mos të etiketojnë këtë shërbim me një grusht përmbaruesish për të cilët Ministria e Drejtësisë ka bërë edhe kallëzim penal në prokurori.
“Në datën 30 maj i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal për kryerjen e veprave penale me dyshime të arsyeshme për “mashtrim”, “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” . Janë 12 përmbarues privat të kallëzuar prej meje, dy shoqëri mikrokredie dhe administratorët e këtyre dy shoqërive, 1 notere dhe një kompani përmbarimore. Tani i takon hetimit të thotë fjalën e vetë. 4 prej këtyre përmbaruesve privatë, që janë edhe bashkëpunëtorë me këto skema mashtrimi, u janë hequr përfundimisht licencat, 6 të tjerëve u janë pezulluar dhe 9 janë në proces heqje licencash, që do të thotë se institucionet nuk kanë heshtur, por kanë vepruar. Edhe Banka e Shqipërisë”, tha Manja.
Manja theksoi se nga këto skema nuk janë mashtruar 120 mijë qytetarë.
“Për 3 vjet Ministria e Drejtësisë ka marrë 700 ankesa në lidhje me këta përmbarues që sot janë denoncuar. Por mbi 95% e kredimarrësve janë qytetarë të rregullt që kanë marrë kredi në institucione financiare jo bankare, por nuk mund të thuhet se janë mashtruar 120 mijë qytetarë”, tha ai.