Mbahet sot seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë
Një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, do të mbahet këtë të enjte (8 shkurt).
Serbia në seancë do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic).
Serbia i ka dorëzuar të hënën misionit të Guajanës, i cili kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për shkak të situatës në Kosovë, në të cilën ndër të tjera theksohet se situata aktuale është në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe e cila është e një natyre të tillë që kërkon mbajtjen e një sesioni të posaçëm të Këshillit të Sigurimit.
Kujtojmë se prej 1 shkurtit, Kosova ndaloi përdorimin e dinarit serb.
Autoritetet e Kosovës e kanë bërë të qartë se rregullorja e re e BQK-së është mjet për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe përdorimin e monedhave të falsifikuara.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dinari serb nuk është i ndaluar zyrtarisht në Kosovë, por sipas tij, vetëm euro është valutë legjitime për transaksionet tregtare.