Mbërrin në Tiranë Sekretari i Jashtëm britanik David Kameron, pritet nga homologu Hasani
Avioni i Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Kameron (Cameron) është ulur në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ka qenë Ministri i Jashtëm Igli Hasani që ka pritur homologun britanik teksa zbriti nga avioni. Kjo është vizita e parë që Kameron zhvillon në vendin tonë.
Vizita e Kameron në Tiranë do të jetë tepër e shkurt, vetëm një orë, ndërsa agjenda e sekretarit britanik ka ndryshuar ku do zhvillohet vetëm një takim “kokë më kokë” vetëm me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të mbajnë së bashku një deklaratë për mediat.
Pas deklaratës, Sekretari i Jashtëm britanik David Kameron do të niset sërish drejt Londrës.
Në fokus të takimit me kreun e qeverisë do të jetë pikërisht forcimi i bashkëpunimit mes dy qeverive, lufta kundër korrupsioni dhe partneriteti mes dy vendeve në trajtimin e emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Gjithashtu diskutimet do të zhvillohen edhe për investimet që do të përforcojnë partneritetin e Mbretërisë së Bashkuar me Shqipërinë dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për të dy vendet.