Mbetjet në rrugën Shkodër-Velipojë, fabrikat e përpunimit të qumështit ndotin ambjentin në Trush
Shumë zona vuajnë nga një problem i madh siç është ndotja nga mbeturinat.
Në fshatin Trush, rrugës së Velipojës, këto mbeturina qëndrojnë prej shumë vitesh aty, dhe si zgjidhje për t’u asgjësuar është parë e arsyeshme djegia e tyre në pjesën më të madhe të rasteve.
Por nuk mjafton me kaq, në këto pamje të siguruara këtë të premte nga RTSH Shkodra, duken shishet plastike në ambjent të hapur që i përkasin fabrikave të përpunimit të qumështit.
Kjo gjendje e krijuar ka shkaktuar një ndotje të ambientit, pasi sapo afrohesh në zonën në fjalë, era e rëndë e mbetjeve është e padurueshme.
Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse është e mira që të inspektojnë zonën në fjalë dhe të marrin masa të menjëhershme për pastrimin e mbetjeve të ndryshme në rrugën e Velipojës, e cila ka një qarkullim të madh lëvizje, kryesisht gjatë verës dhe nuk është një imazh aspak i mirë në sytë e të gjithëve.