Mbetjet në Shkodër- Hani i Hotit, Bashkia Malësi e Madhe: Kemi vendosur kosha, i kanë dëmtuar qytetarët
Situata e mbeturinave në fshatin Boriç i Madh, në bashkinë Malësi e Madhe, vijon të jetë një problem shqetësues. Kjo zonë është e ekspozuar edhe në sytë e turistëve, pasi është pjesë e aksit Shkodër-Hani i Hotit.
Situata bëhet më e rëndë gjatë stinës së verës, ku temperaturat rriten ndjeshëm, ndaj banorët të cilët janë të detyruar të përballen çdo ditë me këtë situatë shprehen të shqetësuar, pasi prania e mbetjeve mund të kthehet në burim infeksioni për ta.
Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndrecaj, thotë për RTSH- së, bashkia disa herë ka kryer pastrimin e zonës dhe ka vendosur kosha për hedhjen e mbeturinave, por ato kosha janë dëmtuar nga njerëzit e papërgjshëm.
Nga situata e krijuar me mbetjet përgjatë rrugës Shkodër-Hani i Hotit vihet re edhe mungesa e ndërgjegjësimit të banorëve, të cilët hedhin mbetjet kudo në rrugë.