Mbikalimi i Bahçallëkut, nuk përdoret, qytetarët “rrezikojnë”

Në segmentin rrugor nacional që lidh Shkodrën me Lezhën, mbikalimet dhe nënkalimet në rrugë janë të pakta. Por, edhe aty ku mbikalimet janë, ato nuk përdorën nga qytetarët. I tillë është rasti i mbikalimit në Bahçallëk.
Në segmentin hyres ne qytetin e Shkodrës, në lagjen Bahçallek, rreziku ndaj aksidenteve është rritur ndjeshëm, kjo për shkak se mbikalimi nuk përdoret nga banorët. Kalimi i rrugës para makinave dhe lëvizja në krahun e kundërt e kanë kthyer këtë aks rrugor në zonë të rrezikshme.Pamjet tregojnë për qytetarë të moshave të ndryshme që kalojnë rrugën duke sfiduar edhe fluksin e lartë të automjeteve.
Ky aks është një ndër më të rrezikshmit në Shkodër, duke qenë se shpejtësia e automjeteve është shumë e lartë. Ky mbikalim, që është aty prej 15 vitesh, u rindërtua sërish dy vite më parë pasi u shemb pjesërisht si pasojë e goditjes së një mjeti të tonazhit të rëndë.Çdo ditë, në këtë rrugë kalojnë me qindra automjete, të cilat rrezikojnë qytetarët, ku këta të fundit edhe pse e kanë mbikalimin për të mos rrezikuar, preferojnë t’i bien më shkurt, të kalojnë direkt në rrugë.