Mbikalimi i “padobishëm”, qytetarët rrezikojnë jetën dhe nuk e përdorin
Mbikalimi i “Bahçallekut”, në hyrje të Shkodrës është kthyer në një objekt krejt të padobishëm për funksionin që është ndërtuar fillimisht, kalimin e qytetarëve, duke shmangur kështu rrezikun për përplasjet nga automjetet.Çdo ditë në këtë rrugë kalojnë më qindra mjete, përballë të cilave qytetarët rrezikohen vazhdimisht, por pavarësisht këtij risku, nuk e përdorin mbikalimin dhe preferojnë të ndjekin mënyrën më të shkurtër për të kaluar rrugën.Ky aks është një ndër më të rrezikshmit në Shkodër, duke qenë se shpejtësia e automjeteve është shumë e lartë. Duke qenë se pranë këtij mbikalimi është pozicionuar edhe njëri prej stacioneve urban, lëvizjet e qytetarëve janë të shumta, por asnjë nuk e përdor këtë mbikalim. Ky mbikalim që është aty prej 15 vitesh, u rindërtua sërish dy vite më parë pasi u shemb pjesërisht si pasojë e goditjes së një mjeti të tonazhit të rëndë.