“Mbill një pemë, shto një jetë” / ADZM Shkodër në fokus për këtë vit shtimin e sipërfaqeve pyjore
“Mbill një pemë shto një jetë”, është motoja e cila do të shoqërojë këtë vit fushatën e mbjelljes në sipërfaqet e pyjeve në qarkun e Shkodrës. Duke qënë se ky vit është shpallur nga qeveria si viti i pyjeve, objektivat për vitin 2024 janë të qarta për Administratën e Zonave të Mbrojtura në Shkodër, kreu i së cilës flet mbi rëndësinë që kanë pyjet, si dhe për mbjelljen e mbi 2000 findanëve në malin e Taraboshit dhe në atë të Munellës.
Titullari i ADZM Shkodër, Agim Dardha, tha se përqëndrimi më i madh për këtë vit do të jetë në Malin e Munellës në Pukë , pasi është konstatuar se zona në fjalë është degraduar ndër vite nga prerjet abuzive.
Për herë të parë vendi ynë është anëtar me të drejta të plota në Unionin Ndërkombetar të Mbrojtjes së Natyrës. Anëtarësimi i jep mundësinë vendit tonë të shkëmbejë përvoja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Kthimin e zonave të mbrojtura jo vetëm në vlerat e ekosistemin, por dhe destinacione turistike natyrore.