Mbledhja e grupit Bardhi-Berisha, Noka: Protesta brenda dhe jashtë parlamentit
Deputeti Flamur Noka ka thënë se protestat do të vijojnë si brenda parlamentit dhe jashtë tij duke paralajmëruar përshkallëzim të “aksioni opozitar” siç ai e cilëson. Pas mbledhjes së grupit me deputetët që përkrahin Gazmend Bardhin dhe Sali Berishën, Noka tha se demokratë nuk do të ndalen deri sa të “pastrojnë kuvendin e krimit dhe drogës”.
“Sot në protestë do të jenë të gjithë demokratët dhe deputetët e përjashtuar. Ne do jemi brenda Kuvendin duke zhvilluar betejën. Ju do shihni sot dy beteja një brenda parlamentit dhe një jashtë tij. Ata që mendojnë se me masa armiqësore ndaj opozitës do zgjidhin situatën ne I themi se kanë bërë hesapet gabim. Një nga pikat e diskutimit në mbledhje ishte përshkallëzimi i aksionit si jashtë dhe brenda asaj salle që nuk përfaqëson shqiptarët por krimin dhe drogën”, tha Noka
Sot (5 shkurt) në orën 17.00 mbahet seanca e Kuvendit, ku Rithemelimi ka njoftuar se do të zhvillojë protestë para parlamentit, por nuk do të lejojë as zhvillimin e seancave brenda tij deri sa fjala e tyre të dëgjohet. Prej javësh seancat e Kuvendit nuk zhvillohen me diskutime, pasi Rithemelimi bllokon foltoren dhe vendos zhurmues në sallë.