Mbledhja e OKB-së për Kosovën, Rama: Seancë pa kuptim, Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen dialogut
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një seancë pa produktivitet mbledhjen e OKB-së për Kosovën, e thirrur nga Serbia. Pas diskutimeve të bëra atje, ku u hodhën akuza të ndërsjellat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, Rama tha se e vetmja zgjidhje që të dy vendet të ecin para me integrimin dhe bashkëjetesën e komuniteteve të tyre është rikthimin në tryezën e dialogut.
“Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, shkruan Rama në platformën X.
Teksa theksoi mbështetjen e Kosovës për të ruajtur territorin e saj, Rama tha se kryeministri Kurti duhet të bashkëpunojë dhe koordinohet me aleatët.
“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, shkruan Rama.
Më 8 shkurt u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e OKB-së për Kosovë e thirrur nga Serbia pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit si dhe mbylljen e disa zyrave të Serbisë në komunat e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Serbia ka kryer gjenocid në shekullin 20 dhe mbetet kërcënuesi më i madh i paqes dhe i sigurisë. Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u shpreh se Kosova ka krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe se një situatë e tillë mund të krijoj dëme për mbijetesën e komunitetit serb atje.