Mblidhet Asambleja e BASHF-së, miratohet projektbuxheti për vitin 2024
Është mbledhur sot Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, që zhvilloi punimet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në këtë Asamble morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, anëtarët e kryesisë, Idriz Gashi, Ervis Peza, Dritan Salaj e Sokol Avdo dhe delegatët e mandatuar nga kolegjiumet e arbitrave në të gjithë vendin.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në përshëndetjen e tij vlerësoi punimet e asamblesë dhe përgëzoi rritjen e nivelit të arbitrimit shqiptar.
“Ju përgëzojë për asamblenë e parë vjetore të përgjithshme të zakonshme. Është një hap i parë që shoqata ka filluar të funksionojë në mënyrë perfekte. Falë gjykimit tuaj, niveli i arbitrimit shqiptar dhe niveli i futbollit shqiptar janë me notë shumë pozitive. Dua t’ju përgëzoj për gjykimin që keni bërë gjithë këto vite dhe vazhdoni ta bëni. Gjithashtu, ju përgëzoj edhe për punën që bëhet në të gjitha kolegjiumet dhe në kryesi, sepse këtë e tregojnë faktet. Kemi rritur numrin e arbitrave ndërkombëtarë dhe kjo tregon që arbitrimi shqiptar është në rrugën e duhur dhe ka hapa shumë pozitiv”, – tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Asambleja u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola, teksa në nisje të saj u ndanë disa çmime vlerësuese për Besnik Kaimin, Kridens Metën, Xhavit Zajmin, Mhill Shkëmbin, Pajtim Alikon dhe Denis Agarajin, për kontributin e dhënë në arbitrimin shqiptar.
Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë të BASHF-së me sektorin e arbitrimit në FSHF dhe me FIFA-n e UEFA-n.
“Është për t’u vlerësuar bashkëpunimi intensiv e në mënyrë sistematike me sektorin e arbitrimit, komisionet e ngritura, i caktimit, vlerësimit dhe i vëzhgimit. Duhet treguar shumë kujdes, impenjim, përqendrim në edukimin tekniko-profesional të përgatitjes së arbitrave, asistentëve dhe vëzhgueseve. Ky koordinim duhet të konsiderohet një detaj kryesor, i cili duhet thënë që është organizuar mirë. Është detyra jonë të jemi bashkëpunues me Sektorin e Arbitrimit në FSHF, në FIFA dhe UEFA që të marrim bashkëpunimi dhe ndihmesën reciproke të bashkëpunimit”, – tha Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati.
Më tej, asambleja vijoi me rendin e ditës teksa u morën dy vendime të rëndësishme, ku me anë të votimit u miratua bilanci financiar i vitit 2023 dhe projektbuxheti për vitin 2024. Pas miratimit të këtyre vendimeve u mbyllën punimet në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të BASHF-së.