Mblidhet nënkomisioni i diasporës, dëgjesë me ministrin Igli Hasani për problematikat dhe arritjet

Javën e ardhshme mblidhet në Kryesinë e Kuvendit nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin, i cili do të zhvillojë një seancë dëgjimore me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, mbi çështje që lidhen me diasporën.
Kjo strukturë e parlamentit që merret ekskluzivisht me çështje që lidhen me shqiptarët jashtë kufijve do të zhvillojë të martën që vjen (16 korrik) edhe një seancë dëgjimore mbi punën e bërë nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Takimi i javës që vjen kryhet në një kohë kur Kuvendi është vënë në lëvizje nga grupi më i madh parlamentar për projektligjin e ri që i hap rrugë votimit të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2025.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese brenda korrikut, pa u mbyllur sesioni parlamentar, deputetët duhet të zbatojnë vendimin e gjyqtareve kushtetues që ka urdhëruar votën nga jashtë të shqiptarëve në çdo palë zgjedhje që do të vijnë.