Mblidhet sot Kuvendi i Kosovës, pritet të miratohet rezoluta mbështetëse e PE-së për veriun
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një seancë të veçantë ku në rendin e ditës do të jetë edhe miratimi i deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë edhe situatën në komunat veriore të Kosovës.
Më 19 tetor, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën përmes së cilës dënonte sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë një dëshmor për Kosovën.
Rezoluta u propozua nga grupi politik i socialdemokratëve dhe kërkon sanksionimin e Serbisë dhe ekstradimin e ish-nënkryetarit të partisë Lista Serbe, Milan Radoiçiq.
Rezoluta e cilëson sulmin terrorist dhe kërkon përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
“Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi–Kosovë. Na duhet hetim i plotë i sulmit në Banjskë dhe të bëhet drejtësi. Beogradi dhe Prishtina po ashtu duhet t’i kthehen dialogut paqësor dhe konstruktiv të ndërmjetësuar nga BE-ja” njoftoi eurodeputeti Vladimir Bilicik.
Sulmi në fshatin Banjskë është dënuar nga Shqipëria e cila po ashtu miratoi një rezolutë të tillë duke dënuar aktin e Serbisë, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.