Mbrojtja e të dhënave personale-Kujdes çfarë instaloni në telefon, lexoni politikat e privatësisë
28 janari është Dita Botërore e Mbrojtjes së të Dhënave. Mbrojtja e të dhënave personale dhe administrimi i tyre është një shqetësim i madh për shoqërinë tonë sot.
Është tejet e rëndësishme të dimë se pas çdo aprovimi që japim, kur kërkojmë të futemi në një portal apo instalojmë një aplikacion, ne shpeshherë dorëzojmë të dhënat personale, duke ja kaluar personave të cilët për ne janë vetëm një adresë interneti, apo me keq, palëve të treta të cilët janë krejtësisht të panjohur.
Por sa të ndërgjegjësuar jemi ne në mbrojtjen e të dhënave personale?
Një raport i Eurostat konstaton se në vitin 2023, vetëm 36 përqind e përdoruesve të internetit në BE i lexuan deklaratat e politikës së privatësisë përpara se të aprovonin kalimin e te dhënave personale.
Ndërkohë 54 përqind e përdoruesve refuzuan të lejojnë përdorimin e të dhënave personale për reklama dhe pak më shumë se gjysma 51 përqind refuzuan aksesin në vendndodhjen e tyre gjeografike.
Pedagogu i së Drejtës Kibernetike, Gentian Koci konstaton se ka një mungesë të madhe informacioni dhe kulture kibernetike çka çon në keqadministrimin e të dhënave tona.
Por sa te ekspozuara ndaj ligjit janë kompanitë të cilat regjistrojnë të dhënat tona.
“Çdo veprim i tij regjistrohet, qoftë në server qoftë brenda apo jashtë territorit shqiptar. Dhe këto kompani ne i aksesojmë nga Shqipëria, por nuk janë në juridiksionin tonë”, tha Koci.
Eksperti thekson rrezikun qe vjen me teknologjitë e reja. “Rreziku më i madh është se si intelegjenca artificiale do të përpunoj të dhënat tona”, shprehet eksperti.
Eksperti rekomandon që përdoruesit të lexojnë deklaratën e privacisë në aplikacionet e ndryshme si dhe të limitojnë në maksimumin ekspozimin e të dhënave personale si aksesin në profilet sociale.