Mbrojtja nga sulmet kibernetike – Trajnimi me fokus sigurinë kibernetike dhe përdorimin e sigurtë të internetit
Vitet e fundit, paralelisht me zhvillimin e teknologjisë, sulmet kibernetike janë kthyer në një shqetësim për pjesën më të madhe të shteteve të globit. Edhe vendi ynë nuk ka qenë imun në këtë drejtim. Në këtë kuadër, në Shkodër u zhvillua trajnimi gjithëpërfshirës për higjienën kibernetike nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike.
Përfaqësuesja e këtij institucioni u shpreh se nga fillimi i vitit e deri më tani, Shqipëria ka qenë objekt i mbi 20 sulmeve kibernetike, por falë ngritjes së kapaciteteve njerëzore, ato janë përballuar me sukses.
“Sa i përket sigurisë kibernetike, vendi ynë ka shënuar progres në renditjen globale si dhe ka miratuar ligjin dedikuar atij”, u shpreh eksperti ndërkombëtar, Besnik Limaj.
Trajnimi i zhvilluar në Shkodër u mbështet nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndërkohë ai do të vijojë edhe në qytete të tjera.