Mbyllet botërori i Armenisë në boks / Adam Maca nënkampion bote në peshën 57 kg
Kombëtarja e Shqipërisë në boks ka mbyllur përfaqësimin e saj në kampionatin Botëror të Boksit U-16, i cili që prej datës 24 nëntor u zhvillua në Yerevan të Armenisë. Nga katër boksierë kuqezi konkurues në këtë botëror, figurën më të mirë sportive e ka bërë Adam Maca i klubit shkodran, “North Boxing Albania”. Boksieri i peshës deri në 57 kg Maca, nën drejtimin e trajnerit të tij Klaodio Çekini, me të cilin përfaqësohet në kanpionatin shqiptar përmes klubit shkodran “North Boxing Albania, teksa ka eleminuar me radhë boksierë me emër, si Ibromihov Pahlovonjon i Uzbekistanit, Tsimur Siankevich nga Bjellorusia, Sahak Amanollah nga Afganistani, mbrëmjen e së dielës është ngjitur në ring në duelin final duke pasur përballë rusin Koszlov Platon. Siç shikohet edhe nga pamjet filmike që shoqërojnë kronikën, bazuar edhe në komentet mediatike të specialistëve të boksit shqiptar, ashtu si edhe në ballafaqimet e mëparshme, boksieri shqiptar Adam Maca, e ka nisur ndeshjen me një ritëm të lartë, dhe me të njëjtën ritëm e ka përfunduar në mbyllje të raundit të tretë. Sidomos, ky i fundit, raundi i tretë, ka qënë i dominuar tërësisht nga Maca, por kjo nuk ka mjaftuar që gjyqtarët t’i jepnin pikët e duhura për të qënë ai fitues i kësaj ndeshje, pasi në fund, kanë vendosur që fitues të ishte bokieri i kombëtares së Rusisë, Platon Kozlov. Ndërkohë, vendi i dytë dhe medalja e argjendë e nënkampionit botëror të peshës deri në 57 është për shqiptarin Adam Maca. Që, do të thotë, se edhe pse objektivi dhe pikësynimi kryesor ishte medalja e artë dhe titulli kampion bote, duhet pranuar se një rezultat i tillë vjen për herë të parë nga një boksier shqiptar në nivele të tilla botërore. Adam Maca, shkroi mbrëmë emrin e tij në nivelet më të larta të boksit botëror. Maca, nderoi Shqipërinë duke e ngjitur në pozicione që askush asnjeherë më parë nuk e kishte arritur. Ai, sot është vetëm 16 vjeç, dhe ka arritur rezultate të mahnitshme: 2 here kampion Europe, 3 herë kampion kombëtar i Anglisë, 1 herë kampion kombëtar i Shqipërisë dhe së fundmi nënkampion i Botës. Arritjet e tija në këtë moshë, lënë të shpresosh për suksese edhe më të larta në vazhdim të karrierës së tij sportive.