Mbyllet projekti “BE për bashkitë”, përfituan 19 bashki të vendit, Shkodra mikpriti takimin përmbyllës
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka përmbyllur në Shkodër projektin 3- vjeçar “BE për bashkitë”, ku 19 bashki ishin përfituese të projekteve të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Europian.
Kryebashkiaku Benet Beci ka vlerësuar projektin, teksa ka folur edhe për përfitimet konkrete të Bashkisë së Shkodrës.
I pranishëm në këtë takim, ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Arbër Mazniku, ka falenderuar BE- në për mbështetjen, ndërsa ka siguruar se do të vijojë mbështetja e Bashkimit Europian për bashkitë.
Ambasadori i BE- së në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se kontaktet dhe takimet me kryebashkiakët janë mjaft të rëndësishme në punën e tij.
“Është vërtetë kënaqësi të jem në kontakt me kryebashkiakët. Nga 1 dhjetori i kaluar, u kam thënë kolegëve të mi: Unë nuk dua ta shpenzoj kohën time në Tiranë. Unë dua të udhëtoj në vend, të takoj kryebashkiakët. Janë ata që jetojnë në kontakrt me qytetarët, ata i njohin sfidat, problemet dhe aspiratat dhe kjo është pjesë e punës time. Është kënaqësi të jem këtu dhe faleminderit për mikpritjen”, – u shpreh ambasadori i BE- së në Tiranë, Silvio Gonzato .
Bashkia e Shkodrës ka qenë një nga përfitueset e programit “BE për bashkitë”, fokusuar sidomos në projektin e qendrës multifunksionale “Xixëllonjat”.