Mbyllet sheshi festiv në Shkodër / Benet Beci: Faleminderit, e mirë u takofshim në festa të tjera shumë shpejt!
Java e parë e janarit të këtij fillim viti ka shënuar edhe mbylljen e sheshit festiv në Shkodër i cili që nga data 1 Dhjetor tërhoqi përreth vetes me mijëra qytetarë, por edhe turistë të huaj. Në mbyllje të festimeve nuk ka munguar mesazhi i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili është shprehur se sheshi festiv para Bashkisë qe mënyra jonë për ta sjellë vëmendjen te shtëpia e përbashkët e të gjithë shkodranëve.
Ne deshëm t’i hiqnim “pluhurin” mënyrës se si shkodranët kanë ditur të festojnë gjithmonë, hareshëm, bashkë e t’vetëdijshëm që i përkasin një qyteti mikpritës, që kulturën e ka në gjak. Ndaj, dikush me muzikë e dikush me artizanat, me pije e ushqime, apo me sport e lojëra; ky muaj festiv ishte në fakt një mënyrë e mirë për ta gëzuar jetën, edhe pse e dimë që ka shumë probleme, por e dimë mirë gjithashtu që bashkë mundemi ta bëjmë më të mirë bashkinë tonë, mundemi ta ndërtojmë e ta zhvillojmë Shkodrën, më të pastër, më të gëzuar, më të denjë për fëmijët, më frymëzuese për të rinjtë, më shpërblyese për të moshuarit shkruan Beci.Më tej ai falenderon çdo biznes që iu bashkua festës, çdo shitësi e kamarieri, çdo polici e vullnetari, çdo punonjësi të pastrimit, teknik e mbarëvajtës. Faleminderit çdo nxënësi e mësuesi që zgjodhi skenën para bashkisë duke dhuruar plot 82 shfaqje në 3 javë.Faleminderit çdo artisti shkodran, këngëtari, instrumentisti, dj; falë jush çdo mbrëmje u kthye në një festë që s’i ngjante së djeshmes. Faleminderit miqve të ftuar, artistëve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, komunitetit arbëresh e diaspora, por edhe nga Tirana, Korça e Vlora. 20 koncertet tuaja na e kënaqën zemrën dhe sollën në shesh shkodranë e miq nga qytete të tjera, si kurrë më parë.Faleminderit çdo punonjësi të bashkisë për angazhimin dhe gatishmërinë në këtë periudhë aspak të zakonshme pune.Faleminderit të gjithë gazetarëve, blogerëve, fotografëve, profesionistë e amatorë, që e përcollën atmosferën në qytet, duke u bërë lajmësit e festës në çdo platformë.Faleminderit çdo qytetari që zgjodhi Shkodrën për të festuar, duke gëzuar zemrën e tij, e duke kontribuar në ekonominë e njësive të ndryshme të shërbimit në bashkinë tonë.Faleminderit pa diskutim çdo qytetari shkodran, krijues e shijues i shpirtit shkodran shend e verë, ju jeni vetë festa.Faleminderit shumë e mirë u takofshim në festën e radhës, shumë shpejt përfundon mesazhin e tij kryebashkiaku Benet Beci.