Mbyllja e bankës serbe në veri të Kosovës, DASH: Përshkallëzon tensionet
Pak pas mbylljes së 6 njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, ka ardhur dhe reagimi i DASH, i cili e konsideroi këtë vendim si zhgënjyes.
Sipas DASH, veprimi nga ana e Policisë së Kosovës, përshkallëzon tensionet.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë një zëdhënësi i DASH për VOA.
Sipas DASH, SHBA ka kërkuar koordinim me qeverinë e Kosovës për nëmurë që të vijojë mbështetjen ndaj përparimit të saj rrugën euroatlantike.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”, ka thënë më tej zëdhënësi.
Policia e Kosovës bëri me dije një ditë më parë (21 maj) se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.
Sipas policisë së Kosovës, me autorizim të prokurorisë kanë mbyllur bankat postare të kursimeve që vepronin në mënyrë ilegale në veri.
Aksioni i autoriteteve të Kosovës, erdhi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Ndërkaq, rregullorja e BQK-së njeh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.
Më 13 maj BQK-ja bëri të ditur se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.