McCluney: Promovimi i turizmit të qëndrueshëm, një ndër prioritetet e OKB-së
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Cela, zhvilloi një takim me Koordinatoren e Përhershme e OKB për Shqipërinë, Fiona McCluney.
Drejtoresha e AKT-së u ndal në mënyrë të veçantë në angazhimin e institucionit që drejton, në zhvillimin dhe promovimin e qëndrueshëm dhe cilësor të turizmit në Shqipëri.
Çela prezantoi prioritetet kryesore të Strategjisë Kombëtare të Turizmit përgjatë viteve 2004 – 2030, ku përfshihen investimet konkrete, politikat rregullatore dhe fiskale në sektorin e turizmit, menaxhimin dhe marketingun e destinacioneve të shumta turistike, zhvillimin e produkteve turistike dhe ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Drejtoresha e AKT-së, u ndal në mënyrë të veçantë në aplikacionin TEA që ofron kalendarin dixhital të eventeve kulturore dhe turistike, si një mjet që sado i ri, ka tërhequr vëmendjen e madhe të turistëve, sidomos atyre të huaj.
Koordinatorja e Përhershme e OKB për Shqipërinë, Fiona McCluney, vlerësoi angazhimin për promovimin e turizmit në Shqipëri, ndërsa u shpreh se ky sektor përbën një motor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ajo theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit të qëndrueshëm i cili përbën një ndër prioritetet e OKB-së me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
Në këtë takim u ra dakord për vijimin e kontakteve për gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit institucional.