McGonigal dënohet me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve
Gjykata federale e Uashingtonit dënoi sot me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.
“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhet në dokument.