Më 15 maj takimi për dinarin, BE pret nga palët të tregojnë gatishmëri për të gjetur zgjidhje
Zëdhënësi i Bashkimit Europian Piter Stano konfirmoi se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për të diskutuar mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti ka ndaluar përdorimin e dinarit serb. Ai tha se kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç do të shkojnë në Bruksel me ftesë të të dërguarit evropian për dialogun Miroslav Lajçak.
Stano theksoi se BE pret nga palët që të tregojnë gatishmëri për të gjetur zgjidhje. “Presim nga palët që të kenë sjellje europiane dhe gjejnë zgjidhje kompromisi. BE vazhdon të ndihmojë palët të arrijnë kompromis, pasi është i nevojshëm, sepse kjo çështje ndikon në jetën e njerëzve” – tha Stano.
Që nga muaji shkurt janë mbajtur shtatë takime ku është diskutuar zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, por palët nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje duke akuzuar njëra-tjetrën për mungesë vullneti.
Ndërkohë duke nisur nga dita e sotme, Euroja është valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, pasi periudha tranzitore e Bankës Qendrore të Kosovës përfundoi të dielën. Sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë 3 muajve qytetarët janë informuar rreth zbatimit të Rregullores për pagesa me para të gatshme ndërsa nga dita e hënë sipas saj, do të ketë masa ndëshkuese.
Por Kryeministri Albin Kurti në një deklaratë për Radio Televizionin e Kosovës tha se Rregullorja e Bankës Qendrore ka qëllim zbatimin e ligjit, jo ndëshkimin dhe dënimin e qytetarëve. Ndërkohë lidhur me aktivitetin ekonomik të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Kosovë, ato janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri të Kosovës.