Më 23 dhjetor, protesta e radhës e PD-së. Berisha: Elektroshok për narkoshtetin e Ramës
Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar se Partia Demokratike do të vazhdojë protestat me mosbindje civile, duke mbledhur mbështetësit më 23 dhjetor për të kundërshtuar qeverisjen e Edi Ramës.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha e cilësoi protestën si një “elektroshok për narkoshtetin e Ramës”, ndërsa e krahasoi qeverisjen aktuale me diktaturat e Tunizisë dhe Bjellorusisë.
“Kjo do të jetë protesta më e fuqishme mosbindje civile. Opozita ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën e vetme për të nxjerrë vendin nga kjo situatë”, theksoi Berisha.
Berisha komentoi edhe rezolutën e fundit të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Demokracinë (IDU), e cila, sipas tij, “rrëzoi piramidën gjigante të mashtrimit të Edi Ramës”.
Ai e vuri theksin tek akuzat e rezolutës për përqendrim të pushtetit në një individ, persekutim të liderëve të opozitës, dobësim të zgjedhjeve dhe lidhje të thella me krimin e organizuar.
“Në punimet e kësaj konference është miratuar me unanimitet të plotë rezoluta e Bashkimit Ndërkombëtar për Demokracinë për Shqipërinë, në të cilën narkoshteti i Edi Ramës zhvishet nga e gjitha propaganda mashtruese, apo po të përdorim një term tjetër, piramida gjigante e mashtrimit të Edi Ramës shembet e tëra dhe aty del në Uashington dhe tërë botën, del me shëmtinë e tij Shqipëria, narkoshteti i Edi Ramës, një diktaturë e ngjashme me Tunizinë dhe Bjellorusinë e Lukashenkos. Rezoluta shkruan se: duke qenë se IDU mbështet fuqishëm sundimin e ligjit dhe integritetin institucional si gurë themeli të demokracisë, në Shqipëri 12 vite qeverisjes të PS kanë përqendruar pushtetin në një person, duke reduktuar zgjedhjet në një fasadë farsë, atë që themi ne në mënyrë të përditshme.
Udhëheqësit e opozitës përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, duke reflektuar regjime autoritare si Bjellorusia dhe Tunizia”, tha Berisha.