Më 26 shkurt zhvillohet Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, i pranishëm dhe Rama
Më 26 shkurt në Londër do të zhvillohet Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Samiti do të zhvillohet në selinë e BERZH-it, ku të pranishëm do të jenë të gjithë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.
Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in, i cili mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të investuara deri më sot.
Pika kryesore të samitit do të jetë edhe “Sesioni i Kryeministrave”, ku liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it do t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në foksu të takimit do të jetë edhe diskutimi për temën “Energjia e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor”.
Samiti për investimet në Ballkanin Perëndimor u zhvillua për herë të parë nga BERZH në 2014 dhe mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.