“Me Dinamon si finale”- Brdariç dhe Balaj, optimistë në prag të sfidës së kthimit për Kupën e Shqipërisë

Dinamo City do të jetë kundërshtari i radhës për Vllazninë.
Sfida është e vlefshme për gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë.
Barazimi pa gola në ndeshjen e parë, luajtur në “Loro Boriçi” lë gjithçka të hapur për përcaktimin e skuadrës finaliste.
Në konferencën e pragndeshjes, tekniku kuqeblu është i vetëdijshëm mbi vështirësinë e saj.
“Tani është momenti i duhur për të arritur finalizimin e asaj për të cilin kemi punuar fort që prej fillimit të sezonit.
Vazhdimësia ka qënë pozitive për ekipin deri në këtë moment.
Për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë, ne duhet të jemi të përqendruar për të dhënë maksimumin në Elbasan përballë Dinamos.
Secili nga lojtarët i di mirë detyrat e veta si në sulm, mesfushë dhe në mbrojtje. Shpresoj shumë që të jetë një ditë e mirë për Vllazninë dhe tifozërinë shkodrane në stadium”, – u shpreh Brdariç.
I pranishëm në konferencë, kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj ndihet optimist për kalimin me sukses të kësaj sfide.
Krahas gjysmëfinales Dinamo City-Vllaznia që do të luhet mbrëmjen e 23 prillit në “Elbasan Arena” në orën 19, çifti tjetër i gjysmëfinales është ai mes Partizanit dhe Egnatias.