“Me lexue Zorbën” në “Marin Barleti”, pasdite poetike dedikuar poetit në 104-vjetorin e lindjes
Zef Zorba ishte poeti që arriti të shfaqte aq bukur vetveten në kushtet e një izolimi total. Biblioteka “Marin Barleti” i kushtoi një pasdite të veçantë poetike kësaj figure përmes një aktiviteti të kuruar artistik të titulluar “Me lexu Zorbën”, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të qytetit dhe interpretimin mjeshtëror të disa prej aktorëve të Teatrit “Migjeni”.
Zef Zorba vdiq në vitin 1993 pa mundur të shohë asnjëherë të botuara veprat e tij. Ato do të botoheshin një vit më vonë nga familjarët, duke e shkruar emrin e Zorbës me shkronja të arta në librin e poezisë shqipe. Megjithatë ka ende për t’u zbuluar nga krijimtaria e tij.
Pasditja poetike erdhi në kuadër të 104-vjetorit të lindjes së poetit dhe aktiviteteve në kuadër të Ditës Botërore të Librit. Pak ditë më parë u prezantua në kryeqytet një monografi dhe studim mbi veprën letrare të Zef Zorbës me autore Viola Isufaj.