Me mina me telekomandë dhe lëndë shpërthyese nga Lura drejt Rrëshenit, arrestohet 45-vjeçari
Një 45-vjeçar ka rënë në pranga të policisë këtë të diel (7 prill) në Lezhë pasi është kapur me mina me telekomandë.
Në pranga ra Arili Kalija, lindur në Thumanë në Krujë i cili siç njofton policia u ndalua teksa po transportonte 4 mina me telekomanë të lidhura me aparat celular me lëndë të dyshuara eksplozive; 3 kallëpe lënde të dyshuar eksplozive me kapsollë dhe fitil; 3 kapsolla të lidhura me fitil si edhe 2 kallepë të tjera lënde të dyshuar eksplozive nga Lura drejt Rrëshenit.
Gjatë kontrollit në banesë në Lurë, 45- vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri, lëndë eksplozive si ajo që ishte montuar në minat me telekomandë, 10 ndezësa granatash ofensive/defensive, 10 kapsolla detonatore, dhjetëra metra fitil zjarrpërcjellës, si dhe qindra fishekë luftarak.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Kujtojmë që dy muaj e gjysmë më parë, Policia vuri në pranga një 28-vjeçar dhe sekuestroi 2 mina me telekomandë.