Më pak gjela deti këtë fundvit / Fermerët e Lezhës heqin dorë nga mbarështimi i “mbretit” të tryezës festive
Gjeli i detit, simboli i natës së ndërrimit të viteve po mbarështohet gjithnjë e më pak në Zadrimë të Lezhës, një nga zonat me traditë për rritjen e këtij shpendi.Prej ditësh gjelat janë nxjerrë në shitje, buzë rrugëve nacionale apo në tregje, por numri i tyre është i pakët.
Rritja e kostove dhe largimi masiv i të rinjve, ka bërë që shumë familje të heqin dorë nga mbarështimi i këtij shpendi. Fermerët pranojnë se çmimi ka njohur rritje, por pavarësisht kësaj, shitjet thonë janë të kënaqshme pasi numri i shpendëve në treg është i ulët.
Në Zadrimë të Lezhës janë rritur deri në 50 mijë gjela detit në vit, por ky numër është reduktuar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit, ndërsa çmimi varion nga 10 mijë deri në 13 mijë lek të vjetra kg.