Medalje historike për Italinë në gjimnastikën artistike
Italia i shton edhe dy të tjera numrit të medaljeve të marra deri tani në Olimpiadën “Paris 2024”. Pas një ekzekutimi të mrekullueshëm të ushtrimeve të saj, në traun e ekuilibrit Alice D’Amato ka fituar medaljen e artë. Një fitore historike e gjimnastes gjenoveze, e cila la pas kundërshtare të tilla si: Simone Biles dhe Rebeca Andrade.
Medalja e argjendtë shkoi për kinezen Zhou. Në vendin e tretë u rendit gjimnastja tjetër italiane, 17 vjeçarja Manila Esposito, duke kompletuar podiumin e kësaj gare. Ndërsa nuk shkoi mirë konkurrimi i Simon Biles. Gjimnastja amerikane humbi ekilibrin dhe u rrëzua nga trau duke humbur kështu mundësinë për të marrë medalje.
Pritja e verdiktit nga Simone, mbretëresha e këtyre Lojërave, tashmë me tre medalje ari në qafë, ishte shqetësuese, pasi jurisë iu desh disa minuta për të vendosur që rezultati i saj ta poziciononte atë në vendin e pestë. Braziliania Andrade u rendit në vendin e katërt për shkak të disa pasaktësive që u vunë re në ekzekutimin e ushtrimeve të saj.