Mediu, flamur të kuq për SPAK: Nuk po godet blerjen e zgjedhjeve përmes krimit dhe korrupsionit
Me një eksperiencë shumëvjeçare politike, por edhe i përballur me SPAK për çështjen e Gërdecit, kryetari i PR-ës, Fatmir Mediu, beson se Prokuroria e Posaçme nuk po ecën në shinat kushtetuese të një republike parlamentare. Akoma më keq, zoti Mediu beson se me proceset e hapura ndaj opozitës, SPAK po e dëmton opozitën, duke favorizuar qeverinë.
“Mendoj që ka një dëshirë të tejskajshme për t’u shfaqur të vullnetshëm dhe për të thënë se ‘ne kemi marrë në dorë fatet e vendit dhe ne presim majtas dhe djathtas sipas gjykimit tonë, por jo të kushtetutës. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm. Edhe ju në media flisni për republikën e jashtëzakonshme të drejtësisë, ku harrohet se jemi në një republikë parlamentare kushtëtuese, ku secili institucion ka funksionet e veta kushtetuese brenda parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Çdo institucion që punon jashtë kësaj fryme kushtetuese kthehet në një institucion jashtëzakonisht të rrezikshëm për demokracinë në vend.”- tha zoti Mediu në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
Duke besuar se SPAK ka ndarë paraprakisht se kush nga politikanët është i cenueshëm dhe kush i paprekshëm, zoti Mediu flet me shqetësim për atë që SPAK nuk po bën dhe është thelbi i të keqes në vend, blerja e zgjedhjeve përmes krimit dhe korrupsionit.
“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë rritur sipas raporteve ndërkombëtare. Krimi dhe korrupsioni e krijojnë marrëdhëniet me politikën në momentet zgjedhore. Aty ndodh intimidimi i votuesve, blerja e votuesve, përfshirja e grupeve kriminale dhe kandidatëve. Kur ti nuk e ke ndëshkuar këtë, edhe kur ka patur raste, por janë injoruar nga SPAK, vendos një pikëpyetje shumë të madhe. Kur flasim për krimin e organizuar dhe korrupsionin, duhet të sulmohet aty ku iniciohet kjo marrëdhënie e krimit dhe korrupsionit. Për mua, kjo nis me procesin zgjedhor, por këtu ka një dizinteresim total nga të gjitha institucionet për ta shmangur influencën e krimit dhe korrupsionit gjatë procesit zgjedhor.”- u shpreh Fatmir Mediu për RTSH.