Megaoperacioni ”Tempulli “ nuk ndalet / Ministri Balla përshëndet policinë për operacionin anti-drogë në Shkodër
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Edmond Sulaj, gjatë një konference për shtyp, teksa foli për operacionin policor antikanabis të koduar “Trushi”, tha se një vemëndje e vecantë po i kushtohet zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në shkolla dhe vijimit të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Ndërkohë edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur dy operacionet e fundit policore në Lezhë e Shkodër, kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla thekson se operacionet jo vetëm i japin goditje krimit, por edhe rikthejnë besimin qytetar tek strukturat e rendit.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për operacionet anti-drogë në Lezhë dhe Shkodër ku u sekuestruan sasi të mëdha kanabis dhe një numër armësh zjarri. Lufta jonë kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, po merr çdo ditë mbështetje edhe më të madhe nga publiku dhe po rikthen besimin tek Policia”, shkruan Balla në rrjetet sociale.