MEKI bashkëpunim me UT për të ofruar mundësi edukimi të specializuar për të rinjtë
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, me të cili u diskutua për hapjen e një horizonti të ri dhe partneriteti cilësor.
Ministri Gonxhja u shpreh se, MEKI është e vendour që Paktin për Universitetin, prioritet i Qeverisë Shqiptare, ta kthejë në një burim energjie, idesh dhe projektesh, duke ofruar mundësi edukimi të specializuar për të rinjtë, praktikash kërkimore, orientim drejt eksperiencës jetësore dhe administratës që duam.
“Vullnet i përbashkët për të investuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore, akademike dhe studentore. Vizion për të afruar universitetin në dinamikat e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore të vendit, të cilat kanë nevojë të ngutshme për oponencën, dijen e thelluar dhe inovacionet, në nje botë gjithmonë e më të integruar dhe konkurruese”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja.
Si dallandyshe e parë do të jetë një projekt arkeologjik, që bën bashkë kapacitetet intelektuale, energjinë e studentëve dhe infrastrukturën laboratorike të Departamentit të Arkeologjisë, në funksion të njohjes, konservimit dhe promovimit të kulturës kombëtare.