MEKI çel konkursin për drejtorin e Cirkut Kombëtar
Ministria e Ekonomisë,, Kulturës dhe Inovacionit, shpall konkursin për pozicionin e drejtorit në Cirkun Kombëtar.
Ndër kriteret specifike për kandidatët renditen arsimi universitar i nivelit “master shkencor” në shkenca shoqërore; të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në drejtim/menaxhim dhe eksperiencë në krijimtari në fushën e aktiviteteve skenike; të njohë problemet aktuale dhe sfidat e cirkut me qëllim reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore; të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës; të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu edhe atë privat.
Afati për dorëzimin e dokumenteve pranë zyrës së protokollit, në Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit deri ne datë 02.10.2024.
Cirku Kombëtar ka si qëllim dhe objekt kryesor të veprimtarisë së tij ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar, nëpërmjet studimit, edukimit, prodhimit, paraqitjes dhe shpërndarjes së veprave artistike e kulturore; eksperimentimin e formave të reja të shprehjes skenike; realizimin e veprave artistike të autorëve shqiptarë dhe të huaj, për të gjitha grupet e shtresat sociale; shkëmbimet teatrore ndërkombëtare, turnetë, festivalet, manifestimet intelektuale, riprodhimin audioviziv dhe botimet.