Melani Berger, 102-vjeçarja që do të mbajë pishtarin olimpik
Melani Berger është gruaja 102 vjeçare, e cila do të jetë pjesë e stafetës, që do të mbajë pishtarin olimpik, përpara nisjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Me një histori të jashtëzakonshme të jetës së saj, ajo synon të përçojë misionin “se luftuam për të bërë sport si burrat”.
Kush është Mélanie Berger, kjo grua 102-vjeçare me një histori të jashtëzakonshme që do të mbajë flakën olimpike, në emër të vlerave të miqësisë mes popujve që luftoi me Rezistencën gjatë Luftës së dytë botërore. E quajtur “Gruaja e hijeve” gjatë pushtimit nazist, ajo ende nuk mund ta besojë se është zgjedhur nga bashkia e Saint-Etienne për të mbajtur pishtarin olimpik, në rrugëtimin që do të bëjë në qytetin e saj më 22 qershor, para nisjes së Lojërave Olimpike të Parisit.
Edhe pse pesha e pishtarit mund ta shqetësojë pak, trupin e saj 102 vjeçar, nuk bëhej aspak fjalë për ta refuzuar propozimin: “Gjithmonë e kam dashur sportin. Unë dua të jem një simbol për gratë që luftuan për të bërë sport si burrat. Ideali im ka qenë gjithmonë bashkimi i botës. Dhe Olimpiada është një mundësi e shkëlqyer për këtë dhe për të bërë njohje të reja”.
Ajo ka lindur në Austri në vitin 1921 në një familje çifute të klasës punëtore. Edhe pse ka kaluar nëpër torturat çnjerëzore në burgjet naziste për shkak të origjinës së saj, ajo ka mundur të mbijetojë. Për heroizmin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, Melani ka marrë dekorata të shumta, duke përfshirë edhe Legjionin e Nderit.