Meloni viziton Shqipërinë, gazetarja Alba Kepi: Pjesë e fushatës për zgjedhjet europiane

Kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni (Giorgia), do të mbërrijë në vendin tonë të mërkurën (6 qershor), vizitë të cilën do ta nisë nga Shëngjini, ku është ngritur edhe qendra e pritjes së emigrantëve në port.
Për gazetaren Alba Kepi, kjo vizitë e Melonit vjen me fokus te “flamuri” i betejës së fushatës së saj elektorale për zgjedhjet europiane.
Për RTSH 24, Kepi tha se interesi i Melonit është të përcjellë përmes mediave se ka mbajtur premtimin për zgjidhjen e problemit të emigrantëve.
“Është një vizitë që praktikisht duket qartë që është një vizitë me fokus te flamuri i betejës së fushatës së saj elektorale për zgjedhjet europiane, që është zgjidhja e krizës së emigracionit. Fakti që qendra e vizitës është në Shëngjin ku do të vizitojë edhe kampin e përfunduar në portin e Shëngjinit, tregon pikërisht këtë se interesi i saj primar është të përcjellë përmes mediave se premtimin e ka mbajtur dhe krizën e emigrantëve e ka spostuar nga territori italian në një vend të tretë jo anëtar i BE-së siç është Shqipëria. Mendoj se gjithçka është në fokus të fushatës elektorale të saj se premtimin e ka mbajtur.
Çështja e emigracionit apo kërkesa që elektorati ka është zgjidhja e kësaj çështje. Meloni fitoi zgjedhjet e 2022 duke patur si moto kryesore që do zgjidh këtë kolaps të sistemit të azilkërkuesve, këtë fluks të madh emigracioni ilegal. Fakti është që mbi 1 vit e gjysmë qeverisje, ajo e mbylli vitin 2023 me shifra negative, nuk mund ta zgjidhë fluksin e emigrantëve klandestinë dhe tashmë përballë zgjedhjeve europiane e gjeti këtë zgjidhje me Shqipërinë, duke spostuar problemin nga territori italian në Shqipëri. Po përdor këtë për t’i thënë zgjedhësve që unë premtimin e kam mbajtur”, u shpreh gazetarja.