Memoriali i boksit “Vllaznia 2024”, Arjon Kajoshi dhuron spektakël, mund bullgarin Heistian Hrystov
Memoriali i boksit Vllaznia 2024, aktivitet i cili i kushtohet ish- boksierëve shkodranë që sot nuk jetojnë, këtë edicion ishte konceptuar ndryshe duke pasur në konkurim katër çifte boksierësh profesionistë. Ndër to, spikatjen më të madhe e ka pasur çifti i peshës deri në 76 kg, në mes shkodranit Arjon Kajoshi dhe bullgarit Heistian Hrystov. Një ndeshje kjo, e cila në të gjashtë raundet e saj profesioniste ishte shumë e dyluftuar nga të dy boksierët në fjalë. Pas tre raundeve deri diku edhe të barabarta, në të katërtin, të pestin dhe të gjashtin kampioni kuqeblu Arjon Kaloshi ka bërë gjithçka mirë duke e shndërruar në spektakël ndeshjen e tij. Ndaj, edhe në përfundim të krejt ndeshjes, gjyqtaria ishte unanime duke i dhënë fitoren e merituar me rezultatin, 5 me 0. Kjo është fitorja e 12-të radhazi për kampionin shkodran Arjon Kajoshi në boksin profesionist, ku 8 prej tyre janë me nokaut. Një boksier që sipas trajnerit Zef Gjoni është në rrugë shumë të mbarë, ku sidomos përballja e fundit ndaj bullgarit Hrystov ishte në nivel klasi. Në duelet e tjera profesioniste të Memorialit Vllaznia 2024, spikatën edhe dy boksierët e tjerë shqiptarë, Fabio Kaçiu dhe Ariol Zeneli, të cilët fituan ndaj kundërshtarëve të tyre Mikhail Khutuishvili dhe Rosha Donchenko.