Meningjiti, shtohen kërkesat për vaksinim. Mjekët: Prindërit kërkojnë informacion
Humbja e jetës së një 17-vjeçareje nga Durrësi me meningjit ka bërë që shumë prindër të vihen në panik për fëmijët e tyre në lidhje me këtë sëmundje fatale.
Në qendrat shëndetësore të Tiranës këto ditë pediatërve po pyeten më shpesh rreth kësaj teme.
“A duhet të vaksinoj unë fëmijën tim? Në ç’moshë duhet ta vaksinoj? Sa doza duhen bërë? Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë kërkesa të prindërve që kanë kërkuar informacion për vaksinën e meningjitit,” thotë pediatrja Adriana Ilias.
Mjekja tregon për RTSH-në se prindërit së fundmi janë bërë shumë të ndjeshëm ndaj kësaj vaksine, porse nuk ka vend për alarm, pasi kjo sëmundje është e rrallë.
“Jo vetëm te ne, por edhe në rajonin përreth kjo vaksinë është fakultative, sepse sëmundshmëria është e rrallë dhe po kështu edhe vdekjet janë të rralla, 1 në 100 mijë. Me meningjit mund të ketë një vdekje të papritur, por ai që rrezikon seriozisht është meningokoku “C”. Ai shkakton meningokoksemi, e cila jep një gjendje shokante që nuk arrin ta menaxhojë as reanimacioni,” shprehet Dr. Ilias.
Mjekët rekomandojnë vaksinimin, por në konsultim të plotë më mjekun.
“Unë i këshilloj të bëjnë vaksinën, pasi edhe lëvizjet e njerëzve janë shtuar. Ne kemi pasur vjet shumë raste në Itali me meningjit. Vaksina bëhet 8- dhe 10-muajsh në dy doza, por nëse nuk e kanë bërë gjatë kësaj periudhe ajo mund të aplikohet deri në moshën 18 vjeç. Meningjitet janë të rralla, por unë këshilloj nënat të bëjnë kujdes me rinitet, sepse virusi i meningjitit fillon si virozë me rrufë dhe përfundon pastaj në meningjit,” tregon pediatrja.
Mjekët thonë se është shumë e rëndësishme të jemi vigjilentë për simptomat e sëmundjes së meningokokut, sepse jo të gjitha llojet e saj mbulohen nga vaksina dhe duhet të kërkohet kujdes mjekësor urgjent nëse shfaqen simptoma.