Merkato tjetër firmë tek Vllaznia/Ish-mesfushori i Laçit, Klinti Qato firmos dy vite me kuqeblutë

Vllaznia vazhdon që të jetë shumë aktive në këtë periudhë të merkatos verore, duke përforcuar skuadrën me elementë cilësorë. Klubi shkodran njofton se ka arritur marrëveshjen me mesfushorin Klinti Qato, i cili nga dita e sotme është zyrtarisht një lojtar i Vllaznisë. Ish-futbollisti i Laçit ka firmosur për dy sezone me kuqeblute, me opsion zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga sot pjesë e tij është edhe futbollisti Klinti Qato. Mesfushori që në tre sezonet e fundit ka qenë pjesë e skuadrës së Laçit, ka firmosur për dy vitet e ardhshme, me opsion zgjatjeje edhe një të tretë për të luajtur me fanellën kuqeblu”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.
Ndërkohë, sipas burimeve pranë klubit kuqblu, pritet zyrtarizimi i mbrojtësi Erdenis Gurishta. Siç bëhet e ditur, ish kapiteni i Vllaznisë ka arritur të mbyll gjithçka me mirëkuptim me klubin bullgar ku luajti sezonin e kaluar dhe tashmë është gati të rivesh uniformën e skuadrës mëmë, aty ku e filloi dhe u formua si futbollist.