Merkato-Vllaznia bisedime me kroatin Kahrimanoviç/ Dëmtimi i Hakajt, stafi në kë…
Merkato-Vllaznia bisedime me kroatin Kahrimanoviç/
Dëmtimi i Hakajt, stafi në kërkim edhe të një mbrojtësi të majtë
Merkato në kampin kuqeblu vazhdon të jetë e hapur. Ashtu siç janë shprehur edhe më herët, drejtuesit kuqeblu kanë konstatuar se ndeshjet europiane si dhe ato miqësore të zhvilluara ndaj Laçit dhe Otrant të Ulqinit kanë zbuluar disa probleme në lidhje me lojën e Vllaznisë. Më së shumti vëmendja është përqëndruar në repartin e sulmit, por në të njëjtën kohë edhe në prapavijë. Pozicione këto që stafi kuqeblu ka ditë të tëra që po kërkon për të gjetur futbollistët e duhur që t’i veshë kuqeblu. Më herët, për ditë të tëra u lakuan Turkaj dhe Selmani, si futbollistë që ishin pranë firmosjes me klubin Vllaznia, por në prononcimin e fundit të pasmiqësores me Laçin, tekniku Memelli i hodhi poshtë këto dy alternativa duke bërë të ditur se janë dy të tjerë, por pa dhënë emra konkretë. Ndërkohë, gjatë dy ditëve të fundit, në Shkodër dhe në qarqet e vetë klubit të futbollit Vllaznia, një nga emrat që pritet të firmosë për Vllazninë është edhe kroati Amir Karimanoviç, futbollist ky që sezonin e kaluar ishte pjesë e Eznenit. Përformanca e tij e mirë në radhët e shijakasve ku në 38 ndeshje të aktivizuara shënoi 8 gola, por edhe të qënurit futbollist i lirë ka bërë që drejtuesit kuqeblu ta shikojnë me përparësi këtë pistë. Por, ndërkohë që bisedimet me kroatin Karimanoviç vazhdojmë, stafi teknik i Vllaznisë po shikon mundësinë për afrimin edhe të një mbrojtësi të majtë. Për hir të së vërtetës, Vllaznia e ka mbrojtësin e majtë, madje në nivele të pëlqyeshme siç është kapiteni Hakaj, por mungesa e tij dhjetëditore për arsye dëmtimi ka shqetësuar jo pak teknikun Memelli, i cili i ka kërkuar drejtuesve për të siguruar shërbimet edhe për një alternative tjetër serioze, në mënyrë që ky pozicion të jetë i plotësuar edhe me një dublim cilësor.