Merkato, Vllaznia e koshit bëhet me dy amerikanë / Përforcimi i radhës është 25 vjeçari Mckyron Endrel
Ka mbërritur në Shkodër basketbollisti i dytë amerikan. Ndonëse problemet organizative dhe ato financiare vazhdojnë të jenë akoma prezent në basketbollin shkodran, Shoqata e Basketbollit Vllaznia ka bërë të mundur që në harkun kohor të pak javëve të jetë aktive në merkato duke veshur kuqeblu dy basketbollistë amerikanë. Fillimisht ishte Craig Sabb që u bë pjesë e Vllaznisë, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme në dispozicion të trajnerit Damian Bekteshi është vënë edhe amerikani tjetër, 25 vjeçari Mckyron Endrel ,me një gjatësi të admirueshme prej 1 metër dhe 92 cm. Pas një seance të parë pak a shumë individuale praditen e së martës, mbrëmë Mckyron Endrel ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, ndërkohë që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së gazetarëve për një intervistë, që sipas tij ishte emocionuese.
“Ftesen për t’u bërë pjesë e Vllaznisë e prita me shumë kënaqësi. Mbërritja në Shkodër u shoqërua me një mikpritje të veçantë duke më hapur dyert që të bëhen pjesë e skuadrës së këtij qyteti. Vllazninë e kam ndjekur, sidomos në katër ndeshjet e para të sezonit dhe kam krijuar një përshtypje për lojën e kësaj skuadre. Është një ekip i mirë, ka potencial shumë, dhe mendoj se mund t’ia arrijmë për të marrë rezultate pozitive. Karriera e ime në Amerikë ka qënë me disa skuadra, ku ekipi i fundit që jam aktivizuar është Lincoln College. Më vjen mirë që tek Vllaznia gjeta edhe një tjetër basketbollist që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është diçka e mirë që jemi bashkë në gjirin e Vllaznisë. Pozicioni im që luaj në fushën e lojës, është 1 dhe 2. Sot iu bashkova skuadrës në stërvitje dhe mendoj se jam gati të luaj që në ndeshjen e radhës në formacionin e Vllaznisë duke i premtuar tifozërisë që do të jap më të mirën time në fushën e lojës për t’i sjellë sa më shumë fitore Vllaznisë”, -shprehet basketbollisti Mckyron Endrel.
Ndeshja e radhës për Vllazninë e basketbollit meshkuj është ajo kundra Flamurtarit, e vlefshme për javën e gjashtë e kategorisë së Superligës, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke filluar nga ora 19:00.