Mes emigracionit dhe të ardhmes në vendlindje – Gjimnazistët e Malësisë së Madhe e shohin më shumë të ardhmen në Shqipëri

Ndërkohë që sondazhet tregojnë se një përqindje e lartë e të rinjve shqiptarë e shohin emigracionin si rrugën kryesore për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe për t’u përfshirë në tregun global të punës, kohët e fundit situata duket disi ndryshe në Malësinë e Madhe.
Jo pak të rinj gjimnazistë në këtë zonë shprehin dëshirën për të qëndruar në Shqipëri, duke pasur tashmë të qarta drejtimet që duan të ndjekin në jetën e tyre profesionale.
Në gjimnazin “Sherif Hoxha” në qytetin e Koplikut, shkolla me numrin më të lartë të nxënësve në Bashkinë Malësi e Madhe, kjo prirje është gjithnjë e më e dukshme.
Sipas drejtorit të shkollës, në vitet e fundit, dëshira për të migruar brenda vendit po tejkalon ndjeshëm prirjen për të emigruar jashtë.
Të dhënat nga censi i fundit i popullsisë dhe banesave, i vitit 2023, flasin për një rënie të konsiderueshme të numrit të popullsisë në këtë bashki.
Krahasuar me vitin 2011, Malësia e Madhe ka rreth 15 mijë banorë më pak, një fenomen që lidhet kryesisht me emigracionin jashtë vendit, por edhe me shpërnguljet drejt zonave të tjera brenda Shqipërisë.