Meta firmos bashkimin me opozitën
Ish presidenti dhe kryetari aktual i Partisë së Lirisë, në opozitë, Ilir Meta u shpreh të shtunën se është për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e regjimit të kryeministrit socialist Edi Rama.
Në një konferencë për mediet, zoti Meta u shpreh se e ka firmosur dokumentin. “Më është propozuar dokumenti nga ana e PD-së, është shumë parimor dhe në përputhje me qëllimet e Partisë së Lirisë. Nuk kam parë se kush e ka firmosur dokumentin, por kam firmosur, siç do bëja për gjithçka që do kthente vendin në shinat kushtetuese dhe për të pasur një demokraci funksionale”, tha kreu i PL.
I pyetur nëse kreu i PD zyrtare Basha duhet të jetë pjesë e Federatës, zot Meta u shpreh se “nuk jam këtu për të përjashtuar askënd që ka vullnet dhe dëshirë, si edhe është i lirë për t’u vendosur përballë”.
“Çdo njeri që ka dëshirë të përballet me regjimin është i mirëpritur në tryezë. Duhet të pyesni iniciatorët e asaj tryeze, nuk kam qenë unë iniciatori, pavarësisht se jam për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e një regjimi”, u shpreh ai.
Kreu i PL-së u pyet gjatë konferencë nëse emri i tij është në tryezën e opozitës si kandidaturë për të qeverisur vendin.
“Emri im do të udhëheqë PL-në, e cila do të jetë një ndër 3 forcat kryesore politike në të ardhmen dhe faktor kryesor e katalizator për ndryshimin në vend”, u shpreh zoti Meta.