Meta: Qeveria ka kapur çdo institucion, opozita të unifikojë propozimet për reformën zgjedhore
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë “Rama” se ka kapur çdo institucion. Ai deklaroi se prioritet i opozitës duhet të jetë ç’kapja e shtetit për të mundësuar kushte të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Meta u shpreh se opozita do të bëjë propozimet e saj për Kodin Zgjedhor, me qëllim bërjen e një reforme zgjedhore transparente.
“Propozimet do i bëjmë në çdo tryezë dhe në mënyrë aktive publikisht., jemi të hapur për cdo zgjidhje që e bën reformën zgjedhore më transparente dhe u jep mundësi qytetarëve të zgjedhin në mënyrën më të drejtpërdrejtë përfaqësuesin e tyre. Problemi kryeson nuk është thjesht Kodi, legjislacioni, por kapja e shtetit dhe institucioneve, përfshi dhe ato zgjedhoret, nga ky regjim.,
Opozita duhet të unifikojë propozimet e saj në shërbim të një reforme zgjedhore sa më demokratike, prioriteti kryesor duhet të jetë ç’kapja e shtetit për të mundësuar kushte të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Meta.
Ky i fundit dha një mesazh dhe për opozitarët, se çdonjëri prej tyre që bashkëpunon me qeverinë, ka bërë zgjedhjen e tij.
“Kriteret për bashkëpunimin brenda opozitës përballë një regjimi që investon në përçarjen e opozitës dhe përpjekjen për ta paralizuar atë, këtë e ka secili vetë në dorë duke gjetur vetën e tij në raport me Ramën dhe qeverinë e tij.
Për secilin që bashkëpunon me qeverinë në çdo formë dhe mënyrë, duke i shërbyer asaj si zgjatim i saj në kampin opozitar, dhe të bëjë opozitën e opozitës së vërtetë dhe reale, ka bërë zgjedhjen e tij. Secili ka mundësin për të treguar nëse është në opozitë , me këtë regjim, apo është një vegël e tij”, u shpreh Meta.